Vlerësimet në internet janë “veza e artë” për biznesin tuaj.
Të gjithë pronarët e akomodimeve private, mendojnë se qëllimi i vetëm është të ofrojnë një strehim sa më cilësor dhe të rehatshëm për vizitorët, brenda mundësive të tyre.
Sigurisht që ambienti akomodues është i rëndesishëm për vizitorët, që në momentin e përzgjedhjes në kanalet e shitjeve. Vizitorët përzgjedhin vendndodhjen, komoditetin, fotot e bukura, por ajo që u kushtojnë shumë vëmendje janë vlerësimet nga vizitorët e tjerë.
Në një mjedis konkurrues ku ka me shumicë prona akomoduese gjithnjë e me të bukura, vizitorët duan të ndihen të mirëpritur.
Për pronarët nuk është e thjeshtë tu përshtaten të gjitha kërkesave të vizitorëve: Pastëria, rehatia dhe komoditeti, siguria e ambientit, pajisjet e nevojshme në dhomë dhe tualet, janë bazike. Por vizitorët kanë nevojë për vëmendje dhe të qenurit në dispozicion, të trajtohen nga pronarët si miq të dashur. Të krijuarit e një komunikimi të mirë me vizitorët,i bën ata të ndihen të rëndesishëm, të mirëpritur dhe çdo gjë bëhet më e lehtë, madje dhe disa gabime mund të anashkalohen.